rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Thaçi – Daçiq dhe bilanci i “normalizimit”

Arbër Zaimi

Lajmi për takimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiqin shkaktoi jo pak pështirosje e revoltë ndër shqiptarët e Kosovës. Takimi i dy kryeministrave, edhe pse u quajt nga analistët pranë pushtetit si një “sakrificë prej të dyja palëve” në fakt indinjatën e krijoi vetëm në Kosovë e jo në Serbi. Vetëm në Prishtinë pati protesta, si dhe arrestime, rrahje e dhunim të panevojshëm të protestuesve. Në Beograd nuk u pa e nevojshme që të terrorizohej popullsia në mënyrë të tillë, sepse nuk pati ndonjë kundërshtim substancial ndaj takimit. Një tezë legjitime që mund të ngremë, për rastin, është se Beogradit ky takim i intereson – shumë më shumë se ç’i intereson Prishtinës, që me sa duket po bën koncesione të detyruara njëra pas tjetrës.

Nëse teza është e vërtetë, së pari vlen të bëhet pyetja, pse i intereson Serbisë takimi i kryeministrit të saj me kryeministrin e Kosovës, që pretendohet si krahinë e Serbisë nga thuajse gjithë spektri politik vendas? Ç’fiton a ç’humbet Serbia nga ky takim?

Prej takimit me Thaçin, vetë Ivica Daçiq, për tetë vjet zëdhënës i Sllobodan Millosheviqit, përfiton rehabilitim. Ky antishqiptar i zëshëm, i cili gjer më 2011 fliste për luftrat në Ballkan që “ende nuk kanë përfunduar”, ky propagues i disa prej qëndrimeve më mizore ndaj Kosovës (me 95% shqiptarë), ky përfaqësues jo-simbolik i xhelatit u takua me Hashim Thaçin, përfaqësuesin tejet-simbolik të viktimës. Vetë akti i takimit barazon xhelatin me viktimën, i vendos palët përballë nevojës për të bërë sakrifica të njëjta, edhe pse ende s’ka patur as drejtësi për viktimat, as ndëshkim për xhelatët.

Rehabilitimi personal i zotit Daçiq, i cili gjer para disa muajve si ministër i rendit arrestoi (me motivin e vetëm se kishin ndihmuar luftën çlirimtare të ’98 – ’99) një sërë shqiptarësh që kalonin tranzit në Serbi, çon në fakt edhe në stabilizim të inferioritetit të Prishtinës ndaj Beogradit, duke patur parasysh që kryeministri serb është po i njëjti që shumë pak kohë më parë dha urdhrin për arrestimin e policëve të Kosovës brenda në territorin e republikës së re, duke ia poshtëruar Hashim Thaçit institucionet dhe policinë (me të cilën Hashimi u mbrojt aq fort kur kishte përballë protestuesit shqiptarë). Inferioriteti i Thaçit ndaj Daçiqit sanksionohet edhe nga kujtimi i urdhër-arrestit ekzistent për Hashim Thaçin nga ana e Beogradit, të lëshuar e të konfirmuar edhe nga Ivica Daçiq, i cili s’ka ndërmend ta rishikojë këtë punë.

Por përfitimet e Serbisë shkojnë edhe më tej, e nuk përfundojnë me rehabilitimin e Daçiqit apo ultranacionalistëve racistë që kanë pushtetin aktualisht në atë vend. Takimi i kryeministrit të Kosovës me atë të Serbisë fillon një raund negociatash e bisedimesh duke lënë jashtë disa fakte të rëndësishme, e ndër to mund të njehsojmë shpejt e shpejt 12.000 shqiptarë të vrarë, 1750 ende të pagjetur, afër 20.000 gra të përdhunuara, dhjetëra mijëra shtëpi të djegura e pasuri të shkatërruara një herë e përgjithmonë. Ky takim që i barazon simbolikisht palët në tryezën e BE-së nuk merr parasysh që Serbia ende nuk ka kërkuar falje për këto, përkundrazi, me krenari të madhe vijon përmes qeveritarëve të saj aktet e ofendimit dhe përbuzjes ndaj shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si edhe aktet e cënimit të shtetësisë së Kosovës, sa herë që mundet.

Madje Serbia erdhi krejtësisht e pakushtëzuar në këtë takim, ku nuk iu kërkua as kthimi i dokumentave kadastralë, as kthimi i kontributeve pensionale të mbledhura për dhjetëra vjet nga punëtorët e Kosovës që sot kanë mbetur pa pensione.

Anashkalimi i këtyre problemeve në fakt do të thotë mos-zgjidhje dhe këmbëngulje në të njëjtën rrugë. Janë pikërisht këto fakte që e bëjnë anormale marrëdhënien e Serbisë me Kosovën, dhe çdo përpjekje për normalizim pa adresimin e drejtë të këtyre çështjeve do të sjellë padrejtësi të reja, ku xhelati mbetet i respektuar në shpresën e tij për të qenë edhe një herë xhelat, ndërsa viktimës dita-ditës i thellohet fatkeqësia e vet, madje i thuhet se ndan barazisht fajin me xhelatin për viktimizimin e vet. Sepse askush nuk është kundër secilit bisedim në parim ama ajo që kritikohet e kundërshtohet se duket dhe është e papranueshme janë negociatat e bisedimet pa parim.

E gjithë kjo natyrisht që është një pozitë e favorshme për Serbinë, e cila kurrsesi nuk dëshiron të ballafaqohet me të shkuarën e saj apo me ato çka ka bërë në rajon.

Së dyti, vlen të shtrohet edhe pyetja se çfarë përfiton Kosova, apo Hashim Thaçi, nga ky takim.

Disa thonë se prej këtyre negociatave Kosova do të përfitojë njohjen e Serbisë, mirëpo për këtë politikanët serbë flasin qartë, ata janë gati ta sakrifikojnë integrimin evropian por jo të ndryshojnë kushtetutën dhe platformat e tyre të kahershme, që Kosovën e shohin si pjesë integrale të vendit të tyre. Dikush mund të mendojë se ato deklarata janë thjesht ushqim për elektoratin vendas e që ata do të detyrohen nga ndërkombëtarët që të njohin Kosovën, mirëpo nuk është tamam kështu. Ambasadori gjerman në Beograd, para pak javësh shtroi dhe një herë tezën që Kosova me Serbinë duhet të shihen si dy Gjermanitë, që nuk e njohën kurrë njëra-tjetrën, e prapë se prapë shkuan në OKB të dyja. Zgjidhja dikujt mund t’i duket e lezetshme dhe e shijshme, por nuk duhet harruar se dy Gjermanitë ishin pjesë e një kombi të ndarë me zor, e në fund u bashkuan. Serbëve do u interesonte një metaforë e tillë, kur vjen puna te Kosova.

I vetmi që përfiton në Prishtinë prej takimit me Daçiqin, është vetë Hashim Thaçi (dhe konjuktura që ushqehet prej tij, natyrisht). Kryeministri po gjen kontestim gjithnjë e më të madh në partinë e vet, ku po akuzohet haptazi për vjedhje masive votash gjer edhe nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e kjo ia bën të pasigurt qeverisjen me një koalicion që po rrudhet dita-ditës prej largimit të deputetëve. Akuzat për korrupsion, “vetëvrasja” e pabesueshme e personit kyç në procesin e privatizimit, Dino Asanajt, dalja në publik e shumë informacioneve mbi allishverishet në procesin e shitjes së pronave publike dhe varfëria e skajshme e kanë rritur dhe ndjeshmërinë popullore kundër Thaçit. E po ashtu, anti-thaçizmi ushqehet edhe nga bindja e përgjithshme se Thaçi është shndërruar në një marionetë për ndërkombëtarët, që kanë dosje për të njësoj si për gjithë ministrat e tij e që ia kërcënojnë pushtetin (pra lirinë – se Thaçi pa pushtet nuk qëndron dot jashtë burgu). Të gjitha këto e kanë çuar Thaçin në përuljen përfundimtare, e kanë bërë këtë ish-komandant të UÇK-së që të shkojë të takojë ish-zëdhënësin e Millosheviqit me shpresë në pajtim. Thaçit i ka zënë rrota bishtin, ai nuk mundi të kërkojë asgjë prej serbëve, ndërsa Daçiqi kërkoi jo pak prej tij – gjer edhe pronësi të barabartë mbi Kosovën (se qenka e tija njësoj sa e shqiptarëve…).

Kjo përulje e Thaçit, duam apo s’duam përkthehet në përulje të shqiptarëve, se ai është kryeministër i Kosovës. Kjo përulje do të prodhojë në nëntor bisedime të rrezikshme – pasi tezës së Daçiqit që Kosova duhet të ndahet midis Serbisë dhe shqiptarëve, ndërkombëtarët mund t’i përgjigjen me një alternativë “të moderuar” (pra jo ndarje, por autonomi substanciale për zonat e pretenduara nga serbët). Thaçi si zakonisht do pranojë dhe do e paraqesë si sukses atë që në fakt do të jetë bosnjëzimi i Kosovës, apo disfunksionalizimi final i saj, zyrtarizimi dhe legalizimi i strukturave serbe që edhe aktualisht operojnë, por si kriminale e si ilegale në veri e në të tjera vende të Kosovës. E kjo do të ishte humbja përfundimtare që pritet të vijë prej këtyre bisedimeve që pretendojnë barazinë, por siç shihet prodhojnë një pabarazi edhe më të rëndë, edhe më të theksuar.

A duhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, mund të pyesë dikush? Po, natyrisht që duhet, ashtu siç duhet që popujt e dy vendeve të jenë menjëmend miq e ta shohin njëri-tjetrin si të barabartë. Mirëpo kjo nuk mund të ndodhë pa denazifikim të Serbisë, njësoj siç ndodhi me Gjermaninë pas luftës së dytë botërore. Një vend që ende s’ka kërkuar falje për mizoritë që ka bërë, përkundrazi i voton si president e kryeministër pjesëmarrësit në ideologjinë më të dhunshme që ka parë Ballkani, qartazi nuk po kërkon miqësi.

Të gjithë ata që, si puna e Thaçit, thonë se ne duhet të jemi zemërgjerë e t’u shtrijmë dorën sepse jemi më të mirë se ata, në fakt shfaqin një bindje thelbësisht raciste që prodhon gjithashtu pabarazi (ne jemi më bujarë, më trima, ne dimë të falim, jemi fisnikë e ata jo). Ndërsa një bindje si ajo e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që kërkon barazinë e popullit shqiptar me të gjithë popujt e tjerë (pra jo supremacinë e as inferioritetin), zbërthehet në qëndrimin se e vetmja mënyrë që të krijohet barazi mes Kosovës e Serbisë është dalja e së parës prej pozicionit të viktimës (e kjo vjen vetëm duke u vendosur drejtësi – sepse viktimizimi bëhet i përjetshëm kur s’merr drejtësi), dhe dalja e së dytës prej pozicionit të xhelatit, e ky nënkupton ndryshim rrënjësor dhe deideologjizim të politikës e popullit serb, çrrënjosje të antishqiptarizmës e të ndjenjës së superioritetit serb që shfaqet kaq rëndom ndër ta. Ky denazifikim do prodhonte kërkesën e faljes, si dhe njohjen e dëmeve që Serbia ka bërë në Kosovë, që është hap i domosdoshëm drejt cilësdo marrëdhënie të shëndoshë mes popujve.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: