rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Për një Rilindje Kombëtare në Kosovë

Avni Zogiani

Në bankat përpara Ministrisë së Kulturës vazhdimisht protestues të LVV-së uleshin për t’u trajtuar nga “pepper-spray” i policisë. Protestuesit kundër takimit Thaçi-Daçiq po i ekspozoheshin pamëshirshëm dhunës së policisë dhe gazrave të ndryshme helmuese dhe shumë prej tyre tërhiqeshin për të larë sytë me qumësht e qepë. Ky trajtim bëhej pak më larg se vend-protestimi, aty ku qytetarët lëviznin për të bërë punët e tyre të zakonshme. Të pinë kafe, të blejnë ndonjë rrobë, apo kot për të shëtitur. Një nga shkrimtarët me mprehtësinë më të madhe politike që kam lexuar, George Orwell, shkruan: Kur e shoh një njeri të shtrirë përtokë duke u rrahur nga një grup policësh, nuk kam nevojë ta pyes veten në anën e kujt jam.

Një pjesë e qytetarëve të Kosovës, të hënën, parakalonin pa ndonjë përshtypje nëpërmjet protestuesve me sytë gjak nga gazrat e policisë. Çuditesha me indiferencën e tyre. M’u kujtua një film që kam parë së voni. “Ice Age 4 – Continental Drift”. Ishte koha e ndarjes së kontinenteve dhe shtazët lëviznin në panik nëpërmjet maleve e tokave që po rrëshqisnin duke krijuar kratere. Situata ishte e rëndë, por jo për dy kavie të cilave tërë kjo u dukej argëtim. I bezdisur nga harlisja e kavieve në ditën e kiametit, një urith pyet ato: si është e mundur që gjithçka përreth jush po bie, kurse juve nuk ju lë fare përshtypje? Njëra nga kaviet e pyeti anëtaren e spcies së saj: a t’ia tregoj sekretin? Sekreti ynë është ky: we are very, very stupid!

Në takimin Thaçi-Daçiq, ky i fundit iu drejtua kryeministrit tonë: Kosova është e jotja, sa edhe e imja. Krteministri Thaçi i tha: Prandaj e kemi lejuar dyshtetësinë në Kosovë. Mediat kosovare nuk i dhanë hapësirë kësaj deklarate të kryeministrit Thaçi. Njerëzit në sheshin “Nëna Tereze” që kryejnë punët e zakonshme me indiferencën ndaj trajtimit çnjerëzor të protestuesve nuk janë budallenj, por janë të keq-informuar. Ata nuk shohin asgjë të keqe nga ky takim, sepse nuk janë të informuar drejt për atë që po kërkohet nga liderët kosovarë. Politika është duke funksionuar me shantazhe, kurse mediat kryesisht janë të stërmbushura me interpretime të opinionistëve që marrin pagë nga pushteti, drejtpërdrejt apo indirekt. Evropa është në anën e serbëve dhe do të vazhdojë pafundësisht me kërkesat ndaj palës kosovare për aq kohë sa të ketë një zgjidhje për Kosovën që do të kënaqë kërkesat e radikalëve dhe të socialistëve të Daçiqit. Këtu nuk bëhet fjalë për kompromise, sepse kompromiset kishin mbaruar me Pakon e Ahtisaarit.

Vetëvendosje përbëhet kryesisht nga politikanë të rinj, të pakorruptuar dhe të informuar mirë. Ata kanë një bërthamë aktivistësh që i përgjigjen asaj për të protestuar në çfarëdo rrethane. Në Janar ata iu përgjigjen thirrjeve për protestim në Merdar edhe pse temperaturat e ulëta të përziera me dhunën e cementë të policisë së përgatitur nga UNMIK-u rrezikonin seriozisht shëndetin e tyre. LVV gjithmonë do ta ketë këtë bërthamë të protestuesve që do t’i përgjigjen thirrjeve për protesta, por zor se do t’i shtojë radhët me të rinj të gatshëm për t’u përballuar me dhunën e pakontrolluar të policisë dhe me mundësinë e arrestimit.

Situata këtu është në një pikë të pështirë. E vërteta më së paku depërton tek qytetarët. Pushteti ka shumë mjete për të ushtruar propagandë dhe situata në këtë sens është e ngjashme me regjimin e Millosheviqit në kohën e luftërave kur nëpërmjet Këshillit për propagandë të prirë nga Ivica Daçiq opinioni serb përgatitej për luftëra. Opinionistët kosovarë dhe propaganduesit qeveritarë janë shumë të ligësht në krahasim me Këshillin e propagandës për luftë të Daçiqit edhe pse kanë në dorë të gjitha mjetet që kishte ai në atë kohë dhe mundohen t’i përdorin. Një nga mënyrat për të krijuar një opinion pro-qeveritar në kohët “e mira” të Daçiq ishte përdorimi i televizionit shtetëror për ta ushqyer qytetarin e thjesht me tallava për raki. Ceca, Dragana Mirkoviq, Lepa Brena, Miki, Cuki e Caki ishin në kulmin e karrierës në televizionin publik serb, RTS. RTK-ja, sot, me të tëra përpjekjet tallavos opinionin kosovar me misionin për ta bërë atë të lumtur, edhe pse gjysma e tyre kanë probleme me sigurimin e ushqimit ditor.

Parlamenti është gozhduar me votat e pjesëtarëve të PDK-së të dominuara nga pjesëtarë të SHIK-ut dhe me ndonjë votë shantazhi të LDK-së. Drejtësia është vënë në funksion të arrestimeve selektive të njerëzve që vijnë nga partitë apo fraksionet që eventualisht kërkojnë një shtet funksional pa përzierjen e Serbisë brenda. AAK-ja vazhdon në ethe t’i ngjitet PDK-së herë-pas-here, duke i mbajtur gishtat kryq me shpresë se mosndëshkushmëria e zyrtarëve të saj mbi veprat e shumta kur kjo parti ishte në pushtet të vazhdojë. Asnjë zyrtar i AAK-së nuk është hetuar zyrtarisht deri sot edhe pse skandalet e kësaj partie gjatë pushtetit të saj kishin arritur kulmin. PDK angazhohet që të vazhdojë mandatin e vendeve të rezervuara për minoritetin serb, sepse e di mirë se votën e tyre e ka të garantuar. Një Parlament paradoksal që më së paku reflekton demokraci.

Në këtë situatë është vërtetë vështirë të parashikohet si do të zhvillohen gjërat, por është e sigurt se Kosova është në një moment të rëndë. Për BE-në shteti i Kosovës ka dështuar. Ky komunitet as që e ka ndërmend ta përdorë ndikimin e vet për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë çështjen e statusit, por në anën tjetër do të ndërmjetësojë bisedimet Kosovë-Serbi në një dialog tjetër. Kosova në këtë dialog përfaqësohet nga politikanë që kanë shfrytëzuar pushtetin për t’u shndërruar në milionierë. Është e qartë se ata nuk do të kenë kurrfarë subjektiviteti. Mirëpo, shoqëria kosovare ka më shumë probleme sesa thjesht vetëm politikën e korruptuar, prandaj pa subjektivitet.

Elita kosovare përcaktohet fort nga kapitali i një grushti biznesmenësh që janë po aq fort të lidhur me Serbinë. Kosova vazhdon t’i japë Serbisë dhjetëra miliona euro nëpërmjet tenderëve publikë. Rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, edhe pse e njëanshme, nuk ka se si të shihet jashtë këtij ndikimi të kapitalit serb në politikë e në sektorët tjerë të rëndësisë së veçantë publike, sidomos në media. Kosova po tradhtohet në sensin ekonomik dhe politik. Një grusht njerëzish që kanë pavarësi dhe integritet në mendim, janë të shkapërderdhur. Ata duhet të bashkohen për t’ia bërë vendit më të lehtë këtë moment të vështirë. Mirëpo, ky bashkim duhet të jetë pa korniza, i pakorruptuar. Ky bashkim duhet të jetë një rilindje kombëtare.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: