rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Një përgjigje «presor Ermalit»

Tek personazhi i Benit në shkrimin e Ermal Hasimjes, përvoja e varfërisë, asaj që i duhet të provohet përballë ekperiencës së suksesit së autorit, a succes story siç thonë amerikanët, shfaqet në formën e saj më bruto dhe brutale. Trajektorja sociale e Benit mjafton për të shprehur metafizikën e ekzistencës së tij: me origjinë nga një mjedis i varfër, ai kalon kohën poshtë pallatit, prindërit, këta proletarë të vegjël të viteve ‘80, të shpronësuar prej kapitalit kulturor e atij ekonomik s’kanë mundur të investojnë tek i biri tjetër gjë përveç fatalitetit të dështimit. Dhe kështu, shprehja «Ai (Beni), s’mbush», nuk përbën habi që Ermali ta ketë ka dëgjuar të dalë nga vetë goja e prindërve të Benit.

Ndërkohë që Beni rri e luan poshtë pallatit, Ermali ngjit shkallët për të shkuar lart, në shtëpinë e tij  ku e pret një tjetër mjedis : dukshëm, prindërit e të ardhshmit «presor Ermali» nuk janë puntorë të thjeshtë, janë më e pakta « intelektualë », shtresë e mesme e padeklaruar në komunizëm, ata kanë vendosur limite për Ermalin se kur ai duhet të ndalë lojën e të rikthehet në shtëpi, se kur duhet të hapë librat e të mësojë, se kur i duhet të nisë të përsërisë çfarë ka mësuar dhe mbrëmja mbyllet me verifikimin e detyrave për të nesërmen që shoqërohet tek-tuk me atë vështrimin kritik, por përkujdesës prindëror, për ndonjë gabim drejtshkrimor. Të nesërmen në shkollë, Ermali barkun dhe kokën plot, i rrethuar me dashurinë e prindërve, niset për në shkollë. Përkrah tij ecën Beni, atij që prindërit i punojnë në uzinë, natën, turni i tretë, atij që prindërit nuk i lexojnë, nuk dinë ndoshta as të drejtshkruajnë, atij që prindërit kur kthehen kanë kohë veç të hanë keq, të grinden, ndoshta të pijnë e të flenë. Kush kujdeset per Benin? Me siguri Ermali këtë pyetje s’ia ka bërë kurrë vetes.

E ku ka kohë Ermali të merret me këto banalitete? Këtij të fundit i dukej se në atë kohë, e madje dhe sot, shkolla është institucioni që i jep hakun çdo nxënësi: kush punon, vlerësohet, kush rri rrugëve si Beni, përjashtohet. Principi i barazisë, sipas mendjes së Ermalit, mbështetet tek principi i meritokracisë. Ermali «me të gjitha dhjeta», sepse e meritoi, dhe Beni «katranjosi», «ngelësi», sepsezgjodhi të mos mësonte (Ermali këtë e quan «profeci vetëpërmbushëse», medet!). Ermali, në vazhdën e shumë tellalëve të tjerë, neolib’ dhe neocon’, është dukshëm partizan i principit se ka dhe «pabarazi të drejta sociale”. Por a priori Ermali ndoshta nuk e ka menduar kurrë se të ketë «pabarazi të drejtë sociale», duhet të paktën të pranosh ekzistencën e kushtit që garanton për secilin shanse të barabarta në këtë garë të ethshme të profitit. A ekziston Ermal kjo hapësirë e shanseve të barabarta tek ne? Jo! Si rrjedhojë a mund të flitet këtu për meritokraci? Jo! Ndaj një shoqëri që nuk punon për të prodhuar hapësirën e shanseve të barabarta për t’ia dalë në jetë, ajo është e dënuar të prodhojë vetëm aparate ideologjike, siç i quante Altyseri, që do t’i legjitimojnë padrejtësitë si të drejta legjitime, që do ta legjitimojnë përjashtimin si dënim të merituar, që do të legjitimojnë suksesin e atyre që kanë trashëguar matricat e nevojshme sociale për t’ia dalë në këtë garë të pabarabartë si meritokraci. Ermali, ish-fëmijë i bekuar, ndoshta nuk e kupton se tek ne shkollat janë institucione të përjashtimit e legjitimuese të dështimit social, janë insitucione të pabarazisë dhe kanë si funksion ideologjik brenda këtij sistemi deklasimin e më të varfërve.

Diçka më tutje, autori shkon deri atje sa edhe e inkriminon Benin pse është i varfër. Çështje estetike? I vret sytë varfanjaku në rrugë? Ku i dihet! Beni që mbart mbi trup stigmatët e një shteti të dështuar,  bëhet kështu dy herë viktimë në këtë rast. Së pari, prej trajektores së tij të jetës e cila e ka diskriminuar përjetë në çdo kompeticion përballë të predestinuarit «presor Ermali», por akoma më keq, ai edhe kategorizohet si «mediokër». E nga kush se? Kategorizimi që Ermali i bën Benit, nga piedestali i dominuesit, habitat i paprekshëm dhe i destinuar të trashëgohet, është një farë akuze, shí siç e përmban edhe etimologjia e fjalës, kategorein – akuzoj nga greqishtja e vjetër. Autori e klason Benin dhe të tjerët si ai, por harron që duke e klasuar, edhe vetëklasohet. Më tepër neocon’ se neoliberal, Ermal Hasimja në përpjekje për të prezervuar ekologjinë e pasunarit, arrin në përfundimin se i varfëri e ka fajin vetë, se atij i është dhënë mundësia për shkollim dhe nuk ka përfituar, se i është dhënë mundësia për punë dhe nuk e ka marrë, se i është dhënë mundësia të mbyllet në një cep e të rrijë qetë, por jo, i varfëri na paskësh zgjedhur të jetë i dhunshëm. Presor,scusami d’esistere!

Pasi ka denigruar Benin, Ermali, na sjellë edhe shembullin e XY (suksesi vjen me iniciale virile) që është një student i varfër që falë punës dhe këmbënguljes arriti t’ia dalë në jetë dhe që këtij, i gjithëmëshirueshmi Ermal, ia zgjat dorën për ta çuar përpara, për t’i gjetur një punë, apo një bursë jashtë shtetit. Faleminderit presor ! Të lutem varfanjak. Veçse, pranvera nuk vjen me një lule, Ermal, po kështu një i mbijetuar i sistemit tonë diskriminues, si ky XY, nuk mund të fshehë me mijra e mijra të rinj e të reja plot energji që përplasen përballë mediokritetit të atyre që pretendojnë se postet që kanë zaptuar i paskëshin merituar, një XY nuk mund të fshehë me mijëra të tjerë të diplomuar që enden ca andej këndej për një punë, një XY nuk mund të legjitimojë hedhjen në rrugë të ekspertëve nga injorantë partiakë që kanë zaptuar padrejtësisht institucionet dhe që të bëjnë edhe leksion mbi moralin. Kështu këtyre moralistëve u duket e kot që voton Beni, se medemek Benin e përdorin për fushatë. Kur Aristoteli na thotë se njeriu është kafshë politike, jo thotë nga katedra presor Ermali, hiqjani këtë politiken Benit, hiqjani të drejtën e votës, Benin le ta mbajmë si kafshë. Sigurisht, nga ana tjetër, vetë Ermal Hasimjen nuk e kanë përdorur kurrë për fushata. Jo ! ç’ne?

Diçka më tej, të rehatuarve të shtetit u duket se të paguarit e taksave na qënkësh diçka e kotë, e kotë t’i jepet asistencë të mjerëve na thotë autori – Si ‘? T’i lëmë këta njerëz të ngordhin si qentë se ashtu e meritokan ‘? Ermali shkon edhe më tej, ai na fton të shohim shtëpinë e fqinjit që punon si kalë 24 orë dhe ka shtëpi tjetri, ka makinë, ka paré, se punon shumë. Pa i hyrë teorive sesi janë akumuluar pasuritë në këto 20 vjet, ndalemi tek orët e punës dhe bon sens-i  i jetës sociale. C’jetë sociale mund të ketë një i alienuar i punës, një fetishist i mallit,  që s’ka as kohë të shijojë momente me familjen, të gëzojë me fëmijët, të parit e një filmi sëbashku në shtëpi, vizita tek të afërm, etj, etj? S’ka gjë thotë autori, ky fiton para, punon 24 orë! Lum ai! Ai që s’ka kohë as të dashurojë gruan e tij dhe që preferon një zgjidhje tipike klienteliste: mban dashnore! Lum ai! Nuk kohë të merret me fëmijët, por ka paré, i dërgon në Oksford, ia shkollon bota. Lum ai! Le të punojmë si kafshë, na thotë presor Ermali, le të bëjmë paré, pa jeta sociale nuk po i duhet kujt.

Leximi i egër që presor Ermali i bën realitetit tonë, me personazhin e Benit, studentit tjetër XY, komshiut parelli dhe atij vetë, na bën të kuptojmë se në ç’shtet jetojmë: Shteti i mizerjes! Jetojmë në një shoqëri të shpërthyer: janë shpërthyer qytetet, janë shpërthyer fshatrat, janë shpërthyer institucionet administrative në çdo hallkë, janë shpërthyer gjykatat, janë shpërthyer shkollat, janë shpërthyer bankat, janë shpërthyer fabrikat, bazat ushtarake, burgjet, muzetë, bustet e heronjve, ka shpërthyer familja shqiptare, vlerat humane… ka shpërthyer njeriu! Njeriu, presor Ermali! Me këto ritme do të vijë dita, kur do të kërkojmë me qirinj rrugëve, Njeriun ! Beni, XY, komshiu dhe ti vetë, shí si tek sëmundjet, shfaqni të njëjtat simptoma, por keni dhimbje të ndryshme. Ky sistem social prodhon plagë të tmerrshme, disa mbi sipërfaqje, të tjera më të thella, më të fshehta, ashtu siç dikur ngërdheshej nga dhimbja fytyra juaj presor Ermali pas supit të kryeministrit. Se të përdoresh nga regjimi e të të flakin tutje pa u bërë «divë ekranesh», oh, dhemb vlla!

Presor Ermali, i dominuar brenda hierarkisë së tij, mediokër brenda rrethit shkencor, ka dhënë dorëheqjen nga shoqëria, ka humbur çdo ndjenjë solidariteti për të ngjashmit, nuk do të kontribuojë me taksa për shtetin social, në sytë e presor Ermalit as qytetari nuk është më qytetar, jo! është vetëm një klient ! Mizerja e reflektimit kritik kapet pas barishteve të mizerjes së pushtetit për të dalë nga llumi, por pa një rikthim refleksiv, pa e filluar analizën tek vetja, ah, as paratë nuk kanë për të të nxjerrë kurrë në dritë, presor Ermali.

Autor: Agon Neka

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 1, 2012 nga te Polemikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: