rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Transporti Publik dhe Total-Privatizimi

Ndërsa gjetiu publikja dhe alternativat e saj po diskutohen tepër seriozisht, në politikë e jo vetëm, në Shqipëri retorika paraelektorale e thuajse cilitdo ende ekzalton individualizmin, privatësinë dhe konkurencën. Po në u shkëputshim për një çast prej debateve shkenciste të furnizuara nga utopia ekonomike neoliberale e në i kthefshim sytë nga e përditshmja, ndoshta frika prej së përbashkëtës zvogëlohet e zbutet karshi nevojës gjithnjë e më të madhe që kemi për të.

Sipas doracakëve të fondamentalistëve të tregut, po edhe sipas “pulitikave” të bëra nga pushteti qendror e lokal në Shqipëri prej 2000 e këtej, në një sistem të tillë (market stalinism po e quajnë së fundi në perëndim, ndërsa te ne demokraci) logjika duhet të jetë kjo: mjafton që shteti të krijojë rrjetin, se atë e mbush me limfë vitale privati, i pandalshëm në zgjerimin e tij sasior e cilësor. Po a është kështu? Le të marrim një shembull, një prej sektorëve që ka kaluar thuajse tërësisht në dorë të privatëve, infrastrukturën e transportit.

Të gjithë mund të përjetojnë përditë pa patur nevojë për research (s’di pse të gjithë e thonë anglisht këtë fjalë) atë që ndodh me transportin tokësor në Shqipëri. Më nj’anë transporti publik, e m’anë tjetër, ai privat. Transporti publik, gjithnjë e më shumë zotërohet e menaxhohet nga privatë, përmes licensave. Në nivelin urban, transporti publik përbëhet nga taksitë e nga autobusët (gjithnjë e më shumë kompani private). Të parat s’kanë as standard cilësie a çmimi. Çmimi arbitrar e krejt i paleverdisshëm, përveç në të zëntë halli. Taksimetrat nuk përdoren kund, ndëkohë që taksitë pirate punojnë nën syrin vigjilent të shtetit (se shoferë janë vetë policët, ç’faj kanë të zinjtë që u duhet dypunësim, si gjithkujt… – kanë faj që ç’ke me të, thotë ai tjetri që ëndërron një drejtësi mesatarisht normale, si në vende të tjera). Taksitë në vend që të stacionohen diku jashtë qyteteve e të funksionojnë vetëm përmes centralit telefonik, zënë vende parkimi e shpesh trotuare në një trafik të mbingarkuar. Pastaj janë autobuzët, shpesh të vjetër, po edhe kur janë të rinj si kallëp, janë tejmbushur, jokorrektë me oraret, të ngadaltë, të papastër, me shërbim të paedukuar. A nuk ishin këto problemet që do të duhet të zgjidhte privatizimi i linjave urbane dhe konkurenca mes tyre apo dëshira për zgjerim të tregut? Epo asgjë s’paska zgjidhur, meqenëse autobusat funksionojnë njësoj si para dhjetë vjetësh, si një zgjedhje fatkeqe për kë s’ka para, makinë personale apo fuqi të ecë në këmbë. Mungojnë agjensitë e informacionit apo ankesave, agjensitë që mund të shesin bileta ditore, mujore etj. Mungojnë biletat (si dhe vendet e rezervuara) për grupe të caktuara shoqërore (sepse në logjikën e privatit ekstremist – nuk ka grupe të caktuara shoqërore).

Në paç punë me transportin publik ndërurban, gjendja është më pisk. Të njëjtat taksi, që ia këpusin çmimit “me marrëveshje”, apo autobusat që operojnë të ashtuquajturat “linja”, dhe rudimenti hekurudhor që i ka shpëtuar pasionit skrapshitës të qeverisësve të fundit. Taksitë ndërurbane vetëkuptohet, nuk përdoren veçse në raste urgjence, apo në rastet kur ndonjë pasanik s’ka kohë të merret vetë me dashnoren, e shumica e atyre që nuk përdorin makinë personale, i drejtohen linjave të autobuzëve e furgonave, tashmë të gjitha të privatizuara. Kërkund, në asnjë qytet të Shqipërisë, nuk e kanë një stacion të organizuar këto linja, që ndalin ku u do qejfi, po ashtu si pasagjerët të cilët autobuzin e presin gjithnjë t’u kalojë pranë shtëpisë, pa patur nevojë të lodhen e të shkojnë në ndonjë stacion. Asnjë informacion për oraret, për vendndalimet, për çmimet, asnjë vend ku të mund të rezervosh ndenjësen. Vetëm nëse ke numrin e celularit të shoferit. Të shkretët turistë ekskursionistë e backpackers që eksplorojnë Shqipërinë. Do u duhen dy ditë të gjejnë si shkohet, fjala vjen, nga Lushnja në Përmet. A thua bjeshkë… Mungesa e stacioneve dhe qendrave koordinuese-informuese është vetëm (dis)aperitivi. Autobusat dhe mikrobusat (furgonat) garojnë njëri-tjetrin se cili është në gjëndje më të keqe, se cili është më karakatinë. Ndenjëset, ndriçimi, xhamat, ajrimi, të gjitha përcjellin një atmosferë të sëmurë, pa minimumin e higjienës. Shoferët ndalen të marrin pasagjerët rastësorë në çdo 2 km. e jo rrallë përfundon që autobusi të ketë në këmbë po aq pasagjerë sa ulur, sidomos në linjat e shkurtra, apo në ato që udhëtojnë natën. Edukata e ofruesve të shërbimit është zero, ashtu siç është katandisur kjo punë. Ankime s’ke ku bën, dhe pse sheh para syve ligje që të thyhen si të ishin shkopinj fillikatë në dorë të Skënderbeut filmik. Mbizotëron konfuzioni, abuzimi, dhe arbitrariteti, edhe në çmime e orare – që kurrë s’parashikohen dot. Eppur privato… As konkurenca e lirë, as shteti arbitër, që do të përkujdesej vetëm për standardet, nuk e paska rregulluar tregun e transportit ndërurban, që s’është aspak treg i vogël e jo-interesant, përkundrazi.

Sa për trenat, më mirë të mos flasim hiç. Hekurudhat s’kanë parë investim me sy që prej tre dekadash, të shpallura si monument i së keqes. Edhe pse ato hekurudha janë ndërtuar prej popullit, e jo prej “së keqes”. Ndërsa gjithë Evropa ka një sistem të integruar hekurudhor, që vijon ta mirëmbajë e ta zhvillojë, te ne u shkatërrua edhe ajo pak hekurudhë që mundëm të ndërtonim. Sot, ato pak trena që janë, s’bëjnë as për muze. Në mos paçin para për të investuar në hekurudha, pse nuk e bëjnë një thirrje për kontribut vullnetar? Edhe pse para ndoshta s’jep dot njeri, një a dy ditë punë do i ofronte shumëkush, për t’i dhënë këtij vendi një substancë e një formë të jetueshme. Pavarësisht vulgarizimit banal që i është bërë vullnetarizmit si diçka enveriste, ja që kjo praktikë ekziston kudo (edhe në perëndim), si shenjë e pjesëmarrjes në ndërtimin e vendit tënd jo vetëm përmes taksave, që janë minimumi i detyrueshëm.

Lëngata e transportit publik, të pronësuar nga privati e të shkatërruar nga shteti neoliberal, e detyron njeriun të bëjë si të bëjë e të blejë makinë personale. Zgjidhja në fjalë mund të ketë racionalitet individual, po jo-domosdoshmërisht është më e mira dhe më e arsyeshmja për një shoqëri si jona, për shumë arsye ndër të cilat: tashmë Shqipëria ka më shumë makina se ç’i përballon infrastruktura; pjesa më e madhe e tyre janë vjeturina që prodhojnë ndotje të tmerrshme; ky numër i makinave nuk i raportohet situatës ekonomike; blerja e makinave vetëm sa e përkeqëson bilancin tregtar; paratë sërish shkojnë jashtë, në vend se të mbeten si kapital investues; e shumë e shumë arsye të tjera. Po pavarësisht arsyeve apo pamudësive financiare etj., njeriu në Shqipëri duket i ndëshkuar, i dënuar që të kërkojë zgjidhje të tillë te makina personale. Transporti publik, që gjithandej është alternativa e parë që konsiderohet, te ne edhe kulturalisht gjendet i përçmuar (ideologjia…), si diçka me status më të ulët social. Në fakt, që prej dy dekadash, çdo vendi ku gjenden bashkë, çdo vendi publik, shqiptarët ia degjenerojnë statusin social.

Zgjidhje më e mirë do të qe standardizimi i shërbimit publik urban e ndërurban, kontrolli i vazhdueshëm për respektimin e këtyre standardeve, dhe heqja e licensave për ata që dështojnë. Sektori duhet formalizuar, e duhet vënë në korniza të rendit. Po ashtu, do të qe me vend operacionalizimi i një kompanie publike që menaxhon stacionet e autobusave dhe taksive ndërurbane, dhe koordinon udhëtarët. Gjithashtu biletat duhet të blihen jashtë autobusave, të jenë të regjistruara në sistemin fiskal. Në linja ku privati nuk operon kënaqshëm, duhet të ketë operatorë publikë, që konkurojnë privatin me synim rritjen e cilësisë dhe uljen e çmimit. Taksitë duhet të monitorohen për taksimetër e për cilësi shërbimi, piratët duhet të konfiskohen etj. Trenat duhet të rikthehen funksionalë, e me ndihmën e partnerëve të huaj, të “evropianizohen”, ndërkohë që hekurudha duhet, në afatmesëm, të lidhet me linjën Selanik – Shkup – Prishtinë e përmes saj, me Evropën. E kështu me radhë, ka disa gjëra që nuk janë aspak të pamundura, që do të vinin në binarë të duhur së paku këtë sektor që fatkeqësisht (por pritshëm) nuk figuron si prioritar as në programin e opozitës, as në atë të qeverisë – edhe pse interesi i elektoratit do të qe masiv.

Efekti i mentalitetit ekstrem “privatizim-privatizim-privatizim” është shfaqur gjithandej në sektorët e transportit, si psh. te aeroporti i Rinasit, që pasi mori dhe të drejtën për monopol ka vënë bllok mbi aeroportin e ri të Kukësit, pra bllok mbi konkurencën, që do të mund të sillte uljen e çmimeve. E në fakt të udhëtosh me aeroplan prej Shqipërisë është sipërmarrje më e shtrenjtë se gjetiu në Evropë. Ky efekt shpejt do të shtrihet edhe te rruga e kombit, e cila do të kërkojë pagesë prej atyre që kalojnë përmbi. Kombi kërkon haraç prej bijve të vet, po jo si kolektiv në këtë rast. E lyp si një firmë private që do të marrë përsipër mirëmbajtjen, se shteti nuk e bëka dot. Dalka me fitim privati, po jo shteti. Ej prit! – do thonë liberalët – se shteti ka burokraci, korrupsion, inefiçiencë. Por shembujt e mësipërm, pas njëzet vjet transporti publik të privatizuar, nuk më lënë t’i konsideroj argumentat e liberalëve, e këtyre njerëzve të mirë që kanë prodhuar një sistem funksional vetëm në letër (empirik), po që kanë dështuar rëndë në terren, e jo vetëm në Shqipëri.

Mirëpo argumentat e tyre konsiderohen si të rëndësishëm nga establishmenti qeverisës, nga ai shkollor (që prodhon miniqeverisës, të gatshëm për të riprodhuar aktualen), apo nga ai mediatik (media, të mos harrojmë, është një tjetër transport publik i menaxhuar nga privatë). Si PD-ja, si PS-ja, si mikropartitë e vjetra e të reja, janë gati të bëjnë akrobaci spektakolare, me kusht që të mos flasin kurrë për të përbashkëtën. Për publiken, e cila vetëm në rastin ekstrem do të thotë mbytje e individuales. Për publiken e cila sot është tërësisht e mbytur nga privatja (ekstremi tjetër). Për publiken e cila duhet të mëkëmbet, që të balancojë privaten e që të marrë prioritet ndaj saj, pasi, që të mos e harrojmë, njeriu është i tillë vetëm në shumës, shoqëria (jo xhungla) është momenti kur u mbrujt njeriu – e në fakt dhe vetë konceptimi i tij si individ do të qe një ushtrim goxha i vështirë abstragimi spekulativ.

Autor: Arbër Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 26, 2012 nga te Ekonomi, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: