rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Nacionalizmi dhe Internacionalizmi

Le t’ia nisim me një tension dialektik: proletariati, duke qenë klasë internacionale, nuk ka komb; në të njëjtën kohë proletariati kudo është i përfshirë në kombe – madje prandaj ekzistojnë kombet. Që të jemi më të saktë, kapitalizmi prodhon një situatë globale në të cilën proletariati ka një destin të përbashkët (pra është një klasë punëtore ndërkombëtare e aftë të bashkohet kundër kapitalizmit ndërkombëtar), por gjithsesi proletariati shfaqet në situata konkrete të kombeve, bile dhe kombeve që parazitojnë mbi kombe të tjera, sepse kapitalizmi global nuk është një shtet botëror por më shumë përngjet me një shumësi shtetesh – disa prej të cilave janë imperialiste, disa janë shtete uzurpatore, disa periferike, e shumë prej tyre kanë disa prej karakteristikave të sipërpërmendura. Kështu që proletariati në njërën anë duhet të lëvizë drejt një pozicioni të bashkimit me të ngjashmit e tij anembanë, por nga ana tjetër nuk mundet t’i shpëtojë faktit se ekziston i kornizuar në rrethana tepër konkrete. Në këtë situatë rruga e një lëvizjeje revolucionare nuk mundet thjesht të ndjekë diktatet e një tjetër lëvizjeje; se po të ndodhë kështu njerëzit që jetojnë në një komb, do mund të gjendeshin të shtypur, madje edhe nga punëtorët e kombit tjetër.

Pamundësia për ta zgjidhur këtë tension i ka çuar disa komunistë në gabime të mëdha: nga një anë nëse fokusohesh shumë te fakti që proletariati është një klasë ndërkombëtare që ndonjëherë ekziston jashtë historisë dhe nuk është zhvilluar prej rrethanave partikulare, konkrete, mund të përfundosh në shovinizëm kolonial; e nga ana tjetër nëse përqendrohesh shumë te dallimet dhe te ideja që popujt në vende të ndryshme nuk kanë asgjë të përbashkët dhe që secila situatë duhet të trajtohet si komplekse dhe unike, rrezikon të përfundosh në kulturalizëm kombëtar.

Kjo është arsyeja pse ideologët e Internacionales së Tretë shpenzuan aq kohë duke diskutuar problemet teorike të “Çështjes Kombëtare” – në fakt shumica e kohës së Kongresit të Dytë të Internacionales së Tretë (plot dy sesione) iu kushtuan kësaj problematike, dhe është e habitshme se sa zhbirues ishte ky Kongres. Në fakt Lenini e filloi Sesionin e Katërt të Kongresit të Dytë të Internacionales së Tretë duke argumentuar:

“Ç’është gjëja më e rëndësishme, ideja themelore e Tezave tona? Është dallimi mes kombeve të shtypura dhe kombeve shtypës. Ne e theksojmë këtë dallim – ndryshe nga ç’bën Internacionalja e Dytë dhe demokracia borgjeze. Është me rëndësi të veçantë për proletariatin dhe për Internacionalen Komuniste që gjatë epokës së imperializmit të vendoset mbi faktet konkrete ekonomike dhe t’i avitemi gjithë çështjeve koloniale dhe kombëtare jo prej një këndvështrimi abstrakt, por prej një këndvështrimi konkret. […] Imperializmi karakterizohet nga fakti që gjithë bota tash gjendet e ndarë mes një numri të madh kombesh të shtypur dhe një numri të vogël kombesh shtypëse, që zotërojnë pasuri të pamasë dhe janë të forta në kuptimin ushtarak.”

Dhe në përfundim të Sesionit të Pestë, pas shumë debatesh, Internacionalja e Tretë po miratonte qëndrime kundër kolonizimit zionist të Palestinës, ende para se ky kolonizim të arrinte kristalizimin e vet, pikërisht sepse e kuptoi se kombet mund të shtypin kombe të tjera (si përmes zaptimit kolonizues, ashtu edhe imperializmit) dhe sepse u ndërgjegjësua, për më tepër, se punëtorët e këtyre kombeve shtypëse mund të shtypin punëtorët e kombeve të shtypura. U argumentua se ishte e nevojshme që të ndërgjegjësoheshin punëtorët si në vendet e shtypura ashtu edhe në vendet shtypëse, sa i përket këtyre komenteve; dhe në të njëjtën kohë u nxor përfundimi se ndërkohë që individët borgjezë duhet të pranojnë se edhe proletarët janë njerëz njësoj si të gjithë, vetëm aksionet revolucionare të të shtypurve mund ta imponojnë këtë mirëkuptim të përbashkët.

Njerërzit rreken të harrojnë se Lenini ka shkruar ca gjëra shumë interesante për kombet dhe kolonializmin – e kjo ndodh se njerëzit kanë përshtypjen se Lenini ka qenë ndonjë marksist i mërzitshëm eurocentrik që shqetësohej vetëm për një proletariat abstrakt që përballet me një borgjezi abstrakte. Mirëpo për Leninin proletariati dhe klasat borgjeze nuk kanë qenë kurrë abstrakte, por gjithnjë konkrete, gjithnjë të kornizuara në kombe – e ndonjëherë këto mund të jenë kombe shtypëse dhe/ose të shtypura. Lexoni përshembull këtë konstatim të Leninit që lidh kolonializmin me konceptin e aristokracisë punëtore:

“Dhe tani e shohim se si rezultat i politikave koloniale të shtrira gjerë e gjatë, proletariati evropian pjesërisht ka mbërritur në një situatë ku nuk është ai që e mban me punën e tij gjithë shoqërinë, por është puna e popujve të kolonizuar, që janë praktikisht të skllavëruar. Borgjezia britanike përshembull nxjerr më shumë përfitim nga miliona njerëz në Indi e në koloni të tjera se sa nga puna e punëtorëve britanikë. Në disa vende këto rrethana krijojnë bazën ekonomike dhe materiale për të infektuar proletariatin e njërit vend apo të tjetrit me shovinizëm kolonial”. [Lenin, Teza mbi Detyrat Themelore të Kongresit të Dytë të Internacionales së Tretë]

Këtu shohim se Lenini argumenton që proletariati në një komb që përfiton prej kolonializmit, paska mundësi të humbasë diçka më shumë se zinxhirët; sepse është i investuar në kolonializëm, është pjesë e një kombi kolonizator, është kundër betejave revolucionare të atyre kombeve mbi të cilët paraziton. Shovinizmi kolonial, shtypja raciste, janë më shumë rezultat i këtij fakti material se sa ndonjë konspiracion borgjez për të ndarë klasën punëtore. Por më e rëndësishmja është se Lenini njohu kombet si fakt, e duke njohur këtë njeh dhe faktin se pjesë të ndryshme të proletariatit ndërkombëtar shfaqen brenda kontekstit të kombeve. “Evropianët shpesh harrojnë se popujt e kolonizuar përbëjnë gjithashtu kombe” shkruante Lenini tek Një karikaturë e Marksizmit dhe Ekonomizmi Imperialist.

Kjo harresë është problemi, sepse duke shfrytëzuar harresën disa të ashtuquajtur përfaqësues të internacionalizmit komunist përpiqen të bëjnë proklamata kundër vetëvendosjes kombëtare. Duke u fokusuar vetëm në gjysmën e parë të tensionit dialektik, dhe duke pranuar se proletariati është ndërkombëtar, ka disa që argumentojnë se duhet injoruar shtypja kombëtare sepse kjo e pengon internacionalizmin abstrakt. Po pikërisht këtë lloj të harresës nënvizon Lenini, sepse kjo bazohet që vetëm një lloj nacionalizmi është i rëndësishëm – shtet-kombësia e Evropës dhe trashëgimtaret e saj. Tek Revolucioni Socialist dhe E Drejta e Kombeve për Vetëvendosje, Lenini thotë se internacionalizmi abstrakt është “hipokrizi” sepse shtrohet nga ata që tashmë i posedojnë të mirat dhe përfitimet e të jetuarit në një komb që s’është i shtypur, dhe përdoret kundër kombeve të shtypura që kërkojnë të gëzojnë të njëjtat të mira. Të argumentosh se masat në këto kombe do të çlirohen duke u bashkuar me masat e atyre kombeve që janë duke ushtruar shtypjen, do të thotë të injorosh faktin që tashmë ka një pabarazi: njëra palë e shtyp tjetrën, dhe njësoj si proletariati që nuk mund të bashkohet me borgjezinë, punëtorët në kombet e shtypura nuk mund të bashkohen lehtësisht me popujt e kombeve shtypëse. Diçka tjetër nevojitet, dhe kjo duhet të jetë, së paku pranimi i shtypjes kombëtare.

Mirëpo kjo gjëja tjetër është në fakt kushti themelor për internacionalizëm, sepse kjo i detyron ata që përfitojnë prej faktit që jetojnë një një komb tërësisht të artikuluar të kuptojnë se duhet ta tejkalojnë pozicionin vetjak dhe të bashkohen me të kolonizuarit (siç argumenton Fanoni), dhe “duhen kërkuar të drejtat e secesionit politik për kolonitë dhe për kombet që kombi ‘yt’ po i shtyp. Gjersa kjo të mos ketë ndodhur, internacionalizmi proletar do të mbetet një frazë e pakuptimtë; besimi i ndërsjelltë dhe solidariteti klasor mes punëtorëve të kombeve shtypëse dhe atyre të shtypura do të jetë i pamundur; hipokrizia e mbrojtësve reformistë dhe kautskianë të vetëvendosjes, që heshtin mbi kombet që shtypen prej kombeve ‘të tyre’ e që mbahen me dhunë brenda shtetit ‘të tyre’, do të mbetet e paekspozuar”. [Lenin, Revolucioni Socialist dhe E Drejta e Kombeve për Vetëvendosje]. Pra çështja është: nëse dëshiron të unifikosh tensionin dialektik mes faktit që proletariati është ndërkombëtar dhe faktit që ai është i kornizuar në kombe, atëherë do të duhet të pranosh se ca kombe janë shtypëse, ca janë të shtypura, e të gjesh një rrugë për bashkim në këtë kontekst. Përndryshe nuk je internacionalist: je hipokrit, një shovinist kolonial, një njeri që i bindet logjikës koloniale të kombit të vet ndërkohë që pretendon se nuk je pjesë e asnjë kombi. Sepse nëse je vërtet internacionalist, a nuk do të duhej të bije dakord që mbështetja e kombit tënd në kolonializëm dhe imperializëm duhet të kundërshtohet për shkak të faktit që kjo shtyp popuj të kombeve të tjera? A s’duhet ta lije pas kombësinë tënde të privilegjuar dhe të mbështesje të drejtën për secesion të një kombi që po dominohet, në mënyrë që populli i atij kombi të shtypur të mundet, në momentin e vetëvendosjes, të të shohë si shok?

Sepse, në e paçim lexuar Fanonin, atëherë duhet të pranojmë që kombet e shtypura mund t’i shohin veç si armiq punëtorët e atyre kombeve që gjithë ekzistencën e kanë kontingjente mbi shtypjen koloniale, gjer në momentin kur ata mbështesin kërkesën e tyre për vetëvendosje. Nëse ekziston, dhe e derivon privilegjin tënd prej super-shtypjes së një grupi të tërë njerëzish, atëherë duhet ta vësh në pikëpyetje gjithë kontekstin tënd social. Nuk mundesh thjesht të kërkosh që njerëzit që i përkasin këtyre popujve të shtypur të bëhen pjesë e internacionales tënde nëse më parë nuk ke pranuar që ata kanë të njëjtat kërkesa mbi kombin e tyre – të cilat ti nuk i sheh te vetja meqenëse ka qëlluar që ke lindur në një komb të privilegjuar dhe autonom.

Edhe një herë: Evropianët shpesh harrojnë se edhe popujt e kolonizuar gjithashtu janë kombe. Pra, popujt e kombeve evropiane dhe evrocentrike prej vetë faktit që gëzojnë privilegjin e kombësisë së tyre, e harrojnë se edhe popujt e kolonizuara janë kombe.  Aktivistët anarkistë sidomos e fshehin mirë këtë hipokrizi: atyre u pëlqen ta diskreditojnë gjithë nocionin e kombësisë, ndërkohë që vetë ekzistenca e tyre rrjedh prej privilegjit që gëzojnë me kombësinë e tyre. “All flags are coloured rags” (gjithë flamujt janë zhele me ngjyra), këndojnë ca anarkistë, që nuk mbërrijnë të kuptojnë se flamuri i kombit të tyre, që ata pretendojnë se e mohojnë, u garanton një lloj privilegji politik në një masë të caktuar – një privilegj që ndoshta ia ndalon atyre kombeve që janë të varura prej tij.

Por, t’i harrojmë anarkistët! Marksistët historikisht kanë bërë të njëjtin gabim kundër Leninit, në mbështetjen maniake për një proletariat internacional abstrakt që ata (me ata nënkuptojmë ata të privilegjeve koloniale dhe imperiale) rreken të drejtojnë. Shembujt më tragjikë të këtij “internacionalizmi” kolonial janë ata marksistë që pretendojnë se teoria e çështjes kombëtare nuk i përshtatet kombeve që në fakt janë të shtypura, por vetëm kombeve që janë tamam evropiane, pra që ata i njohin: që këtu rrjedh idiotësia e disa grupeve sektare marksiste në Kanada, që njohin pavarësinë e Kebekut (Quebec) meqenëse sipas tyre është komb i mirëfilltë sipas standardeve evropiane (zotëron një “ekonomi politike” dhe është i bardhë!), dhe nuk njohin pavarësinë e kombeve që në fakt janë kolonizuar nga imperializmi britanik dhe francez. Po: Evropianët shpesh harrojnë që popujt e kolonizuar janë gjithashtu kombe.

Nga ana tjetër, sidoqoftë, qëndron linja që rreket ta mohojë këtë qasje koloniale ndaj kombësisë, duke prezumuar një dallim ontologjik mes popujve të secilit komb. Duke e marrë si të mirëqenë ekzistencën e nacional-shovinizmit, një zgjidhje e lehtë do të qe të propozohej se nuk është kurrë i mundur një solidaritet mes masave të shtypura të kombeve të ndryshme. Kontekstet kulturore, na thonë, janë të papërputhshme, dhe mbetet vetëm fakti i shtypjes që rrjedh prej atyre që flasin për “internacionalizëm”! Mirëpo kjo përgjigje kulturaliste është nënprodukt i shovinizmit që pretendon se kombet nuk kanë rëndësi, e në të njëjtën kohë flet prej pozicionit të kombësisë së privilegjuar… Në fund të fundit, edhe pse mund të jetë reaksionare, kjo është një përgjigje ndaj një sentimenti invers reaksionar: nëse thuaj se kombet nuk ekzistojnë prej pozicionit të një kombi shtypës, atëherë përgatitu për faktin që kombet e shtypura do i bëjnë jehonë sentimenteve të tua, dhe në këtë proces, do të argumentojnë për barrierat kulturore ndaj çdo solidariteti.

Nëse thua se shtypja kombëtare nuk është problem, ndërkohë që përfiton vetë nga kjo shtypje, atëherë përgatitu që të shtypurit të të thonë se dallimet kombëtare janë të rëndësishme, se ti je armiku, se nuk mund të ketë solidaritet. Edhe një herë, Lenini kishte diçka për të thënë: “shtypja epokale e kombeve të kolonizuara e atyre të vogla jo vetëm që i ka mbushur masat punëtore të këtyre vendeve me zemërim ndaj kombeve shtypëse, por edhe me mosbesim të përgjithshëm ndaj tyre, madje edhe ndaj proletariatit të këtyre kombeve”. [Lenin, Dorëshkrim Paraprak i Tezave mbi Çështjet Kombëtare dhe Koloniale] Kjo shtypje kombëtare është “epokale” e nëse do të na duhet të prodhojmë ndonjë lloj solidariteti, na duhet të kuptojmë se si t’i avitemi një internacionalizmi që nuk është i mbushur me internacionalizmin fals të atyre që qëndrojnë brenda sferës së privilegjit kombëtar evrocentrik e që argumentojnë se kombet që shfrytëzohen prej tyre nuk duhet ta gëzojnë të njëjtën autonomi.

Dhe në fund, na duhet të themi këtë: pranimi i vetëvendosjes kombëtare prodhon solidaritet, prodhon përmirësimin e mundshëm të kombeve, prodhon një proletariat vërtet ndërkombëtar. Si përfundim ne e mohojmë çdo tundim për të theksuar partikularizmat e secilës lëvizje revolucionare ndaj tjetrës, por e pranojmë se këto partikularizma mund të kenë pikëtakime në një internacionale vërtet të barabartë, të çliruar prej shovinizmit nacionalist. Dhe me që jemi dialekticienë, le ta pranojmë se proletariati mund të jetë internacional dhe nacional. E në instancë të fundit pasi të kemi pranuar vërtetësinë e fakteve mbi internacionalizmin dhe kornizat kombëtare e pasi të kemi vepruar në përputhje me këto fakte, le të argumentojmë se me gjasë, nuk do të ekzistojnë më gjëra të tilla si nacionalja e si internacionalja.

Autor: Joshua Moufawad-Paul

Përktheu: Arbër Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: