Home

Privatizimi i KEDS

Debati publik në Kosovë së fundmi, jo rastësisht, është i fokusuar tek dy çështjet më të rëndësishme që do të ndikojnë fundamentalisht të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit: 1) privatizimi i ndërmarrjeve më të mëdha publike, si dhe 2) negociatat në përgatitje për statusin e veriut të vendit. Në këtë frymë, kontributet e opinionbërësëve me përgatitje profesionale në fusha përkatëse padyshim që janë të mirëseardhura, sidomos kur ato provojnë të nxjerrin debatin nga qorrsokaqet dogmatike në drejtim të diskutimeve më të informuara teorikisht e politikisht. Privilegji që të tillët shpesh gëzojnë në adresimin e publikut të gjerë përmes hapësirës që u rezervohet në mjete të informimit masiv me tirazh të konsiderueshëm duhet patjetër të vijë i shoqëruar nga një përgjegjësi shembullore qytetare dhe profesionale. Për shkak të respektit ndaj lirisë së shprehjes, shoqëritë e lira dhe demokratike kanë zgjedhur që këtë përgjegjësi të mos e zbatojnë me mjete detyruese, por ta supozojnë si të qenë për t’i dhënë sa më shumë liri debatit publik që në pikëpamje afatgjatë do të duhej të privilegjonte argumentin më të mirë. Pikërisht për këtë arsye shoqëria e lirë, përpos sundimit të ligjit, presupozon një qytetari me kulturë të përgjithshme politike e shoqërore të reagimit publik që garanton një debat publik të mirëinformuar, pra të aftë për të aktualizuar parimin e fitores së argumentit më të mirë. 

 
I interesuar të bëjë një kontribut domethënës në riformatimin e termave të debatit publik mbi privatizimin që po zhvillohet së fundmi në Kosovë, ekonomisti Lumir Abdixhiku, në një artikull të botuar rishtazi në Koha Ditore, tenton të shpëtojë konceptin e privatizimit nga keqkuptimet e njëanshme që ky konsideron se po e përcjellin ligjërimin publik. Megjithë qëllimin fisnik të deklaruar në hyrje, artikulli, i vetëkënaqur me karikaturimin trivial të dy poleve të debatit, përfundon duke prezantuar një qëndrim po aq të njëanshëm e të pasaktë sa edhe secili prej poleve që kërkon të korrigjojë. Më keq se kaq, premtimet fillestare të shkrimit për një xhiro iluminuese në teori ekonomike jo vetëm që nuk shpaguhen, por ato edhe zhgënjehen si jo më keq prej një sërë pasaktësish konceptuale që përvijojnë të gjithë argumentin e Abdixhikut. Së këndejmi, xhiroja iluminuese e premtuar shndërrohet në çalim të pakëndshëm, kurse teoria ekonomike në një cak të pambërritshëm për Abdixhikun.
 
Teza themelore e autorit në pjesën e parë të shkrimit të tij është bukur ambicioze. Ai do të na tregojë që prona private jo vetëm që është po aq e përbashkët  sa edhe vetë prona publike, por në fakt ajo është edhe më e përbashkët se kjo e fundit. Për më tepër, duke vënë në thonjëza cilësorin “e përbashkët” kur flet për pronën publike, e duke i hequr këto thonjëza kur flet për të njëjtin cilësor në raport me pronën private, ai do të sugjerojë që prona private është disi më autentikisht publike se vetë prona publike. Goxha barrë e rëndë për t’u argumentuar pikërisht sepse duhet të dëshmosh që gjithë njohuria teorike e akumuluar deri më tash qenka masivisht gabim e për pasojë të gjithë ne masivisht të mashtruar në besime por edhe ne terminologji. Një botë e kthyer përmbys që Abdixhiku do ta kthejë mbarë duke shkuar edhe përtej mjeshtërve të tij libertarianë, të cilët edhe nëse kanë argumentuar që prona private është mënyrë më optimale (burimet menaxhohen më mirë kur profiti është krejtësisht i privatizuar) dhe normativisht më e drejtë (sepse afirmon lirinë tonë, të kuptuar gjithmonë shumë ngushtësisht si liri nga ndërhyrja shtetërore në organizimin spontan të tregut të lirë) për të organizuar shoqërinë ekonomikisht, kurrë nuk kanë marrë mbi supe barrën që vendos të marrë Abdixhiku mbi supet e tij. Ndonëse i padurueshëm ndaj përshkrimeve metafizike të rëndësisë së ndërmarrjeve publike dhe rolit të tyre në konsolidimin e solidaritetit shoqëror (qëndrimet filozofike anti-treg i quan “zinxhir ngufatës” nga të cilët duhet të çlirohemi), Abdixhiku përfundon duke bërë metafizicienin më ambicioz të teorisë ekonomike, i cili në një shkrim të vetëm gazetaresk përpiqet të na vërtetojë një pseudo-identitet sa abstrakt aq edhe të pabesueshëm: “privatja është publikja”; ose në versionin edhe më ambicioz “privatja është publikja e vërtetë”; bash si në botën e përmbysur Orwelliane të 1984 ku Ministria e Luftës është Ministria e Paqes!
 
Për të vërtetuar këtë pseudo-identitet metafizik, Abdixhiku mbështetet në metafizikë të dobët dhe ekonomi teorike të keqinformuar. Metafizikisht, ai dështon të jetë i vetëdijshëm për dallimin mes një argumenti të bërë në nivel konceptual dhe një tjetri të bërë në nivel empirik. Kjo e lejon të shijojë si refuzim të suksesshëm refuzimin e një argumenti konceptual me observime empirike. Shembuj të këtij rrafshimi janë të bollshëm; për shembull, për të bërë argumentin kundër pronës publike si koncept organizimi ekonomik, Abdixhiku mjaftohet të thotë që duke qenë që në vendet tranzicionale qeveria ka vjedhur buxhetin dhe pronën publike (observim empirik), nuk kemi pse insistojmë që buxheti publik dhe ndërmarrjet publike janë vërtetë të përbashkëta (argument konceptual). Ngjashëm vepron autori edhe me mënyrën sesi mundohet të shpëtojë si të pafajshëm konceptin e privatizimit si të tillë nga “manifestimet e këqija” që mund të observojmë empirikisht, siç është ajo që shkrimi i referohet si “privatizim alla-kosovarçe.” Kjo e bën argumentin e Abdixhikut në favor të konceptit të privatizimit më të kollajshëm, por shumë naiv, sepse ajo çfarë qëllimisht nuk thuhet në këtë mes është që “privatizimi alla-kosovarçe” ka rrënjë të thella teorike në një elaborim neoliberal të konceptit të zhvillimit ekonomik. Prandaj, duhet t’i përkujtojmë Abdixhikut se ashtu sikurse një argument konceptual nuk mund të asgjësohet me observime empirike, po ashtu, një manifestim i shtrembëruar empirik i privatizimit nuk është kurrë vetëm një dështim në zbatim, por edhe teori e elaboruar mbrapsht. Nuk mund të ketë eksperiment, qoftë edhe të keq, pa një kornizë teorike që mundohet të elaborojë pse duhet, para së gjithash, të ketë një eksperiment. Kjo marrëdhënie është asimetrike ama: teoria mund të konstruktohet edhe pa mbështetje empirike, bile të jetë edhe kundërintuitive, e prapë të arrijë të shpjegojë ose parashikojë diçka mjaft mirë. Shembull i mirë i kësaj të fundit nga historia e teorisë ekonomike moderne është puna e shkëlqyeshme teorike e Milton Friedman që arriti të parashikojë stagflacionin e viteve ‘70-të përkundër asaj që na tregonte grafiku i Philipsit për marrëdhënien e zhdrejtë mes papunësisë dhe inflacionit të vëzhguar empirikisht. 
 
Në nivel teorie ekonomike, gabimet janë po kaq serioze. Në radhë të parë, ai shfaq njohuri të mangëta për konceptin e ndërmarrjes publike sepse na e redukton domethënien e publikes në buxhet shtetëror. Ndonëse buxheti shtetëror është një formë e të përbashktës (publikes), ndërmarrja publike nuk është thjesht buxheti shtetëror. Përkundrazi, ndërmarrja publike është një organizatë ekonomike fitimprurëse që është në pronësi të publikut, jo të një qeverie të caktuar që gjendet në një moment të caktuar në pushtet, siç mendon krejt gabimisht Abdixhiku. Profiti i kësaj lloj ndërmarrjeje në vend që të përfundojë në xhepin e një personi a një korporate private, duke ikur kështu nga çfarëdo lloj kontrolli i mundshëm demokratik mbi të, është pronë publike, që do të thotë publiku—jo qeveria—e ka në dorë sesi do ta shfrytëzojë, duke vendosur për këtë ose përmes diskutimeve të hapura e publike të përfaqësuesve të vet në Kuvend ose përmes delegimit të kësaj përgjegjësie tek bordi i ndërmarrjes publike që do të emërohej nga Kuvendi i Republikës; apo, nëse është e nevojshme, edhe përmes referendumit. Duke mos e pasur të qartë dallimin e pronës publike nga ajo private, në njërën anë, dhe nga ajo shtetërore e centralizuar në anën tjetër—dallime këto shumë qartësisht të shqiptuara nga teoria ekonomike—Abdixhiku përfundon duke bërë deklarata krejtësisht absurde si kjo që po e japim të plotë më poshtë: 
 
Në fund të fundit, të paktën çfarë mund të kuptojmë është se transferimi i pronës nga një ndërmarrje publike në private nuk është humbje e pasurisë së vendit. Është thjesht kalim i detyrës nga një punëtor tek tjetri; ne ende mbesim të zotët e pasurisë.
 
Që ndërtesat dhe asetet e tjera fizike nuk zhvendosen jashtë Kosovës me rastin e kalimit të pronës publike në duart e privatit është e qartë, por kjo nuk e bën pronën private pronë tonën të përbashkët, pikërisht sepse në momentin që kemi privatizuar një ndërmarrje publike, ne si publik (qytetarë, popull) pushojmë së qenuri hisedarë vendimmarrës mbi profitin që gjeneron ajo ndërmarrje, ashtu sikur edhe humbasim kontroll mbi organizimin e ndërmarrjes, diferencimin e produkteve dhe shërbimeve që ofron ajo, e kështu me radhë. Prandaj, jo, zoti Abdixhiku, ne fatkeqësisht nuk mbesim të zotët e pasurisë pasi privatizojmë një ndërrmarje publike dhe ajo çfarë ndodh me rastin e shitjes nuk është transferimi i pronës nga një punëtor tek tjetri, por nga një pronar tek një pronar tjetër. 
 
Në vazhdën e dhunimeve të ngjashme elementare që i bëhen koncepteve ekonomike në shkrimin e Abdixhikut është edhe barazimi i konceptit të pagës me konceptin e profitit. Kushdo që ka lexuar literaturë elementare mikroekonomike e ka të qartë që këto të dyja janë dy terma që shënojnë dy lloje të ardhurash të natyrave krejt të ndryshme. Ndërsa paga është kompensimi për vlerën e shtuar margjinale të një ore të punëtorit në proçesin e prodhimit, profiti është shuma e mbetur që shkon në xhepin e pronarit të mjeteve të prodhimit pasi të jenë larë të gjitha kompensimet ndaj faktorëve të prodhimit. Pra, profiti nuk është kompensim, është tepricë financiare e pafituar, vlerë e shtuar e prodhimit përmbi kostot e faktorëve të prodhimit; por kështu nuk është për Abdixhikun sepse ai ia lejon vetes të bëjë edhe pyetje retorike si kjo që po citojmë më poshtë:
 
Në fund të fundit, a nuk duhet të shihet si e shtetit gjithçka që krijon e vepron në Kosovë pavarësisht se a është një i punësuar në qeveri apo një i vetëpunësuar në fermë? 
 
Duke qenë që bën rrafshimin e dallimit fundamental mes pagës dhe profitit, Abdixhiku, konsistent në gabimet e tij, merr në krahasim, si më sipër, një të punësuar i cili nuk merr profit por pagë (i punësuari në qeveri) me një të vetëpunësuar në fermë, që duke qenë i vetëpunësuar është pronar i mjeteve të prodhimit, pra nuk merr (vetëm) pagë por vjel edhe profit nga prodhimtaria e fermës së vet, në xhirollogarinë e së cilës mund të figurojë edhe si punëtor i paguar në qoftë se anagazhohet në proçesin e prodhimit edhe si një punëtor i thjeshtë. Mbi të gjitha dhe më me rëndësi, pra, për dallim nga i punësuari në administratë qeveritare, ky është pronar. Së këndejmi, krahasimi i Abdixhikut është krejt i pabazuar. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, Abdixhiku vazhdon të insistojë që paga është tip i profitit, si në një paragraf tjetër që po e citojmë të plotë më poshtë: 
 
Kam dëgjuar shpesh të thuhet se ndërmarrësi privat nuk është i dobishëm për vendin sepse na paska për qëllim profitin; sikur ky të ishte një mëkat i tyre. Por ja që profiti në esencë është motivi thelbësor që shtyn dikë diku të bëjë një inovacion, të punojë, të krijojë e të ofrojë. Për profit (në formë page) janë dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike; se mos po punuakan ata për motive humaniste, bamirësie e ku ta di unë?
 
I nderuar zoti Abdixhiku, profiti nuk është formë page; në fakt, ai s’ka të bëjë fare me pagën dhe definohet në kontrast me të sepse përderisa paga është shembull shkollor i kompensimit për një faktor prodhimi, profiti është vlera e shtuar e pafituar që mbetet pasi të jenë larë “pagat” ndaj të gjithëve që kanë kontribuar në proçesin e prodhimit. Askush nuk është duke thënë që profiti është mëkat dhe ky është një karikaturim i pandershëm i aktorëve shoqërorë (sindikatave, lëvizjeve, partive politike) që po bëjnë argumentin racional në favor të pronës publike. Çështja nuk është për apo kundër profitit—në fund të fundit, çfarë do të thotë të jesh kundër profitit?! Çështja është i kujt duhet të jetë ky profit: i publikut apo i një kompanie private? 
 
Në përmbyllje të këtij reagimi, duam të përsërisim që cilësia e debatit publik, që është shumë i rëndësishëm në një shoqëri të lirë e demokratike, është një përgjegjësi e jona e përbashkët. Në këtë drejtim, përgjegjësi të shtuar sigurisht që kanë mjetet e komunikimit masiv si gazetat, televizionet e radio-stacionet, që duhet të japin kontribut cilësor në proçeset e formimit të opinioneve dhe vullnetit të publikut të gjerë. Mediat, jo rastësisht, janë quajtur pushteti i katërt në demokraci, por ky pushtet presupozon përgjegjësi të lartë profesionale e qytetare, e cila nuk përmbushet dot me kontribute kaq keqinformuese e argumentativisht të paqëndrueshme si ky i Abdixhikut, i cili, si bartës i një kolumne të rregullt javore në të përditshmen më të lexuar e me më shumë qarkullim në Kosovë, gëzon një hapësirë të rëndësishme komunikimi publik qartësisht të pamerituar. Sigurisht, Abdixhiku nuk është i vetëm në këtë mes. Fatkeqësisht, ai përfaqëson vetëm një rast të një modeli të mbrapshtë të përhapur gjithandej mediave kosovare, të cilat, të kapluara nepotizmi e interesash të ngushta private, po rrënojnë çdo ditë të vërtetën. E rrënimi i të vërtetës është domosdoshmërisht edhe rrënim i lirisë.  
Autorë: Gent Carrabregu, Arjada Bardhi
About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s